Liliana Elmazi për koncesionin e hekurudhës:

Deputetja e Partisë Demokratike Liliana Elmazi pretendon se koncesioni i segmentit hekurudhor Ballsh-Fier-Vlorë është kryer pa transparencë, pa garë si dhe pa njoftim. Sipas deputetes Elmazi, ky koncesion i është dhënë për 25 vjet djalit të nënkryetares së Kuvendit Valentina Leskaj.

Për koncesionin e hekurudhës:

Procedura konkurruese për koncesionin e rehabilitimit të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh; Fier-Vlorë, ka qenë e hapur dhe konform kuadrit ligjor. Agjencia e Prokurimit Publik ka bërë botimin për ftesën për ofertë në datën 8 qershor 2015, dhe ky konkurrim ka qenë i hapur deri në datën 30 korrik. Fituese është shpallur oferta e vetme që erdhi nga bashkimi i kompanive “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k..

Më poshtë janë disa të dhëna kronologjike në lidhje me procedurat e këtij koncesioni:

Në datën 15 shtator 2014 subjekti “Alb-Star” sh.p.k. ka depozituar në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës (MTI) kërkesën për fillimin e procedurave koncesionare, për marrjen me koncesion të së drejtës së vënies në funksionim të rrjetit të transportit hekurudhor në linjat Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë.

MTI ka ngritur Komisionin e Veprimeve Përgatitore, i cili ka shqyrtuar kërkesën e subjektit dhe i ka dhënë Autoritetit Kontraktor 6 muaj kohë për hartimin e studimit të plotë të fizibilitetit.

Në datën 18 maj 2015, pas miratimit të studimit të fizibilitetit “Për dhënien me konçension të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë”, Komisioni i Dhënies së Koncesionit, i paraqet Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës relacionin e hartimit të Dokumenteve Standarde të Procedurës Konkurruese, në zbatim të Ligjit nr. 125/2013 dhe VKM nr. 575/2013.

Ndryshe nga pretendimi i opozitës se koncesioni është dhënë pa garë e pa njoftim, Agjencia e Prokurimit Publik ka bërë botimin e ftesës për ofertë në Buletinin e Njoftimeve Publike Nr. 22, datë 8 qershor 2015 (çka mund të kontrollohet lehtësisht dhe në këtë adresë https://www.app.gov.al/ep/2015_Arkiva_e_Buletineve.aspx. )

Në datën 30 korrik 2015, pas hapjes së ofertave për projektin nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit, rezulton vetëm një ofertues. Në përfundim të vlerësimit të përputhshmërisë me Dokumentet Standarde të Konkurrimit, rezultoi se bashkimi i përkohshëm i operatorëve “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k., përmbushte kapacitetet dhe kualifikohet për fazën e mëtejshme.

Investimi për zbatimin e këtij projekti është domethënës dhe arrin vlerën e mbi 2 miliardë lekëve, të cilat ndahen në investime për rinovimin e linjës, investime për mirëmbajtje dhe mbrojtjen e mjedisit.

Postuar më:2015-10-26